Dikur, nja 150 vjet më parë, duhej guxim i madh për të pirë cigare edhe në parqet publikë të Berlinit. Qeveria prusiane dhe pastaj ajo gjermane, kishin rregulla dhe ashpërsia ishte në rend të ditës, aq sa policia ia hiqte “fajtorit” cigaren nga buza, pa një e pa dy. Ka kaluar një shekull e gjysmë, por gjermanët nuk kanë ndryshuar dhe këtë e provoi trajneri i Bajernit, i famshmi Karlo Ançeloti. Atij iu ndalua kategorikisht (ashtu si gjithë të tjerëve) që të pijë duhan në kompleksin sportiv të klubit, ndonëse ky rregull i ri në Mynih nuk u vendos nga ndonjë gjerman “etnik”, por nga një boshnjak etnik, drejtori i ri sportiv i klubit, Hasan Salihamixhiç. Ançeloti njihet si duhanpirës i regjur dhe i pasionuar (ndonëse, padyshim, dëshiron të mos pijë), por ai jo vetëm e pranoi rregullin e klubit, por edhe u soll sportivisht. “Kjo është gjë e mirë për shëndetin tim – tha ai, – gruaja ime është e lumtur”.
Sfidanti.al