RS Lajpcigu është lajmi i madh i futbollit gjerman dhe i atij të Europës. Klubi thuajse krejt i panjohur, pa një histori për të treguar, po konkurron me Bajernin për titullin kampion, dhe lajmet që vijnë nga Bundesliga duhet ta bëjnë klubin bavarez që të shqetësohet sado pak. Lajpcigu ka pasur një “tavan për rrogat” gjatë gjithë këtyre viteve, por suksesi sportiv ka bërë që kjo të rimendohet.
“Në 5 vitet e ardhshme, “tavani i rrogave” nuk do të aplikohet, – thotë drejtori i Lajpcigut, ish-trajneri i Altin Lalës tek Hanoveri, Ralf Rangnik, – nuk bëhet fjalë për një ligj të shkruar, por për një rregull të pranuar nga të gjithë ne, por aktualisht ne kërkojmë të arrijmë në një nivel më të lartë”.
Tavani i rrogave është 3 milionë euro, pra nuk mund të shkelej nga asnjë lojtar, por tashmë Lajpcigu është në një nivel tjetër. Futbollistët luajnë në një kampionat ku skuadrat paguajnë shumë nëse ka shumë suksese dhe fitime, dhe skuadra nga ish-Gjermania Lindore i përket kategorisë së suksesit. Rangnik thotë se ka bisedime me lojtarë të ndryshëm, ndaj “tavani i rrogave” mund të shkelet shpejt. Lajpcigu nuk dëshiron që Bajerni t’i marrë më të mirët, ndërsa synon që të nxisë lojtarët për të luftuar më fort për titullin kampion.