Alaba donte rrogë sa Levandovski, Myleri e Nojeri, Bajerni tërhoqi ofertën!

Bisedime janë zhvilluar tri herë, por pa ndonjë përfundim, dhe klubi bavarez bëri lëvizjen e fundit. Presidenti i Bajernit, Herbert Hajner, u shpreh në programin televiziv të Bavarisë, “Blikpunkt Sport”, se u kalua afati i vendosur që më parë. “Ne nuk kemi marrë asnjë lajm të ri, – tha ai kur u pyet për kontratën e David Alabës, – bëmë ofertën tonë të fundit, të cilën ata e cilësuan si të pakënaqshme, dhe që duhej të mendoheshim ende. Si përfundim, ne e tërhoqëm ofertën nga tryeza, ofertë nuk ka më”.

“Ne donim sigurime për një pozicion kaq të rëndësishëm në skuadër, – vazhdoi Hajneri, – ne e bëmë të qartë se donim të arrinim një përfundim deri në mbyllje të tetorit”. Sipas mediave gjermane, Bajerni i ofroi Alabës kontratë 5-vjeçare me rrogë bazë 11 milionë euro në sezon, që mund të kishte deri në 6 milionë euro si shpërblime. Austriaku dhe agjenti i tij, Pini Zahavi, mendonin se duhej të kishte një rrogë të përafërt me Robert Levandovskin (20 milionë euro, bazë), Manuel Nojerin (17.5) dhe Tomas Mylerin (15). Kontrata e Alabës përfundon verën e ardhshme.

Sfidanti.al