Për të nuk ka nevojë t’i dëgjosh fjalët, por të shohësh veprat. Xhejdon Sanço është një zbulim i vërtetë europian, por u desh që adoleshenti anglez të shkonte në Bundesligë për të treguar veten. Tek Mançester Siti nuk kishte shumë shanse, kjo ishte e qartë, por Dortmundi ishte tjetër gjë, dhe ai pati mundësi për të luajtur titullar.
Sot, 18-vjeçari fton të gjithë të rinjtë e talentuar nga Anglia, që të ndjekin shembullin e tij, pra të kalojnë në futbollin gjerman. “Është kampionati i duhur për të zhvilluar veten dhe për të dalë në skenë, – thotë Sanço, – nuk e pata të vështirë, sepse unë jam mësuar të jem larg shtëpisë”.
Ai ka shënuar shtatë gola, dhe është numri 2 në Bundesligë për asistet, ndërsa aktivizimi në ligën gjermane i ka sigurua edhe kombëtaren e Anglisë, me të cilën këtë vit ka luajtur tri herë. Në krahasim me të, adoleshentët që luajnë në Angli, kanë statistika më të këqija. Gibs-Uajt ka luajtur 15 ndeshje dhe ka dhënë vetëm 1 asist, Fil Foden tek Siti ka luajtur 13 ndeshje dhe ka dhënë 1 asist, Hadson-Odoi tek Çelsi vetëm 4 ndeshje dhe Gomes tek Junajtidi vetëm 2.
Sfidanti.al