Broja me dëmtim të lehtë, por pritet t’i humbasë dy ndeshje në Premier!

Pritet të kthehet shpejt në stërvitje, dhe të mos vonojë për në fushë. Armando Broja ka lajme të mira për trajnerin dhe tifozët e Sauthemptonit, pasi burime pranë tij bëjnë me dijë se dëmtimi muskulor i pësuar në ndeshjen ndaj Arsenalin nuk pritet ta pengojë shumë. Nuk është një lëndim që mund ta lerë jashtë fushave për javë apo muaj, ndonëse sulmuesi i kombëtares shqiptare mund të mungojë disa ndeshje. Pritet që 20-vjeçari të mos jetë në sfidat e Premier Ligës kundër Kristël Palasit në mesjavë, dhe Brentfordit në fundjavë, ashtu siç janë në dyshim edhe lojtarë të tjerë si Adams dhe Adam Armstrong.

Këta i bashkohen mungesave të mëparshme si Forster, Mekarti dhe Stjuart Armstrong. Trajneri Ralf Hazenhytl nuk ka dhënë shumë sqarime për dëmtimin e Brojës, ndërsa nuk pritet të rrezikojë sepse Sauthemptoni do të ketë një numër të madh ndeshjesh në kampionat në periudhën festive të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Hazenhytl shpreson që Broja të kthehet sa më shpejt sepse ai është shënuesi më i mirë në Angli në moshën deri 20 vjeç, me 5 gola në çdo konkurrim, dhe po ashtu është lojtari i dytë më i ri në historinë e Premierit që ka shënuar gol në 3 ndeshjet e tij të para si titullar.

Sfidanti.al