Klubet evropiane e refuzojnë formatin e ri të botërorit të klubeve. Shoqata e Klubeve të kontinentit i dërgoi një letër UEFA për t’i bërë të ditur se asnjë prej 232 anëtarëve të saj nuk ka ndërmend që të marrë pjesë në këtë kompeticion që po promovohet nga FIFA dhe presidenti i saj Xhani Infantino
Sipas asaj që publikohet te e përditshmja gjermane ‘Süddeutsche Zeitung’, letra është shkruar në terma shumë eksplicite dhe është nënshkruar nga zv/presidentët e 15 klubeve të kontinentit mes të cilëve, Real Madrid, Barcelona, Bajerni i Mynihur, Juventusi, Paris Sën Zhermeni dhe Mancester Junajtid.
‘Jemi në mënyrë kategorike kundër miratimit të mundshëm të një Kampionati botëror për klubet-thuhet ndër të tjerat në letrën e dërguar nga ECA-dhe konfirmojmë që asnjë prej klubeve anëtarë të Shoqatës nuk do të marrë pjesë në një kompeticion të tillë’.
Në letrën e saj ECA bën të ditur se asnjë version i botërotit të klubeve nuk do të jetë i pranueshëm për klubet evropiane duke qenë se kampionatet dhe kalendari i tyre janë përcaktuar tashmë. Për këtë arsye. klubet evropiane i kërkojnë FIFA që të shtyjnë cdo vendim të saj që ka lidhje me Botërorin e Klubeve deri sa të merren parasysh shqetësimet e ligjshme dhe interesat e klubeve të pranohen në mënyrën më të përshtatshme.
Presidenti i FIFA, Xhani Infantino, po punon prej muajsh për këtë projekt për të cilin është gati të investojë deri në 22.1 miliardë Euro. Ajo që dihet për këtë kompeticion është se në të marrin pjesë 24 skuadra dhe se do të zhvillohet cdo 4 vjet, me edicionin e parë që u mendua të zhvillohej në 17 qershor-4 korrik 2021
sfidanti.al