Blutë e Londrës, nuk do të përsëritet mrekullia si në 1998, 2012 e 2021!

Çelsi na ka mësuar këta vjet se mund të arrish tek trofeu i madh europian edhe duke shkarkuar trajnerin në sezon e sipër. Shpesh thuhet se kjo nuk është diçka për klube të mëdhenj, por ndoshta ky i Londrës qenka ndryshe. Në 1998, Xhanluka Viali mori vendin e Rud Gulitit në stol dhe Çelsi fitoi Kupën e Kupave. Në 2012 erdhi episodi më i jashtëzakonshëm kur Roberto Di Mateo zëvendësoi Andre Vijash-Boashin pas humbjes në Napoli në çerekfinale të Championsit, dhe blutë kaluan italianet, pastaj edhe Barcelonën në gjysmëfinale dhe fituan finalen ndaj Bajernit në Mynih. Trajneri i sotëm Lampard ishte në fushë atëherë. Së fundmi, në 2020-2021, Roman Abramoviç shkarkoi pikërisht Lampardin dhe mori Tomas Tuhelin duke fituar trofeun në finalen ndaj Mançester Sitit. Këtë herë duket se nuk do të ketë mrekulli, pasi vështirë që ky Çelsi ta eliminojë Realin kampion.

Sfidanti.al