“Budallenj të shkëlqyer” është titulli i një shkrimi të publikuar në gazetën zvicerane “Blick”, duke aluduar për mënyrën sesi të dy lojtarët zviceranë me origjinë kosovare, Granit Xhaka dhe Gjerdan Shaqiri, i festuan golat që shënuan me shenjën e shqiponjës që shumëkush e konsideron si një mesazh politik, pra që simbolizon “Shqipërinë e madhe”!
Qëkur shorti në Moskë, përfshiu në një grup Serbinë dhe Zvicrën, ku luajnë katër ose më shumë lojtarë shqiptarë me origjinë nga Kosova ose Maqedonia, dihej, pak a shumë, se ndeshja mes këtyre dy ekipeve do të ishte e tensionuar. Sikurse dihet, aktualisht, bluzën zvicerane e mbajntë të veshur katër lojtarë me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, Gjerdan Shaqiri, Valon Berhami dhe Blerim Xhemaili. Media zvicerane u gëzua dhe e lavdëroi performancën e përfaqësueses zvicerane, por mbajti një qëndrim kritik ndaj gjesteve të Xhakës dhe të Shaqirit dhe, sipas kësaj mediaje, të dy lojtarët e lartpërmendur treguan një mungesë respekti.
“Granit Xhaka dhe Gjerdan Shaqiri janë dy lojtarët më të talentuar të këtij brezi lojtarësh zviceranë dhe, pikërisht, ata të dy ishin vendimtarë në fitoren 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë. Ata kanë këmbë që nuk i ka askush tjetër në përfaqësuesen zvicerane, por, megjithatë, nuk e kanë të zhvilluar sensibilitetin politik dhe përgjegjësinë shoqërore. Të gjithë ne e dimë se çfarë marrrëdhëniesh kanë Serbia dhe Kosova, kështu që për provokime politike në stadium nuk duhet të ketë vend”, vinte në dukje në komentin e saj gazeta e njohur zvicerane “Noje Cyrher Cajtung”, duke kujtuar se Valon Berhami dhe Granit Xhaka para katër vitesh kishin premtuar publikisht se nuk do të praktikonin festime të diskutueshme golash që mund të konsideroheshin si provokacione politike.
Sfidanti.al