Bizneset kroate “fërkojnë duart”, tifozët nuk kursejnë kur luan Kroacia e tyre!

I gjithë vendi po fluturon nga gëzimi. Një çmenduri e vërtetë ka përfshirë Kroacinë, dhe tifozët saj nuk kanë ndërmend shpejt të zbresin me këmbë në kokë. Gjithsesi, kjo ndjenjë e rrallë nuk ka sjellë vetëm lumturi e dalldisje, por ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendit të vogël. Faktori i njohur “Kënaqësi” ka bërë që kroatët ta fusin më lehtë dhe më shpesh dorën në xhep.

“Kur luan Kroacia, njerëzit shpenzojnë 30 për qind më shumë, – shkruan faqja e specializuar, “novac.hr”, – që nga fillimi i Botërorit, kroatët kanë ngrënë 9 milionë qebape, dhe më shumë se 1 milionë racione mishi të skarës”.

Ka një dallim mes kroatëve dhe anglezëve. Plot 5 milionë banorë të ishullit britanik nuk shkuan në punë pas fitores me Kolumbinë. Në të kundërt, kroatët kanë qenë të detyruar që të punojnë për të financuar shpenzimet e qejfit gjatë Kupës së Botës.

Jo vetëm kaq. Kroatët, përgjithësisht, i kanë ndjekur ndeshjet nëpër sheshe dhe kafene, por mjaft prej tyre kanë preferuar t’i shikojnë në shtëpi. Kjo ka bërë që shitja e televizorëve të dyfishohet gjatë Botërorit. Shumë para janë harxhuar për modelet e flokëve. Po ashtu, shpenzimet kanë qenë shumë më të mëdha për të blerë fanelën e kombëtares apo suvenire të tjera.

Sfidanti.al