Ndeshja mes Lens dhe Paris Saint-Germain, dy skuadrave që po luftojnë për titullin në Ligue 1, është kthyer në një çështje të nxehtë në Francë. PSG ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e përballjes së planifikuar më 11 prill, me synimin për t’u përgatitur sa më mirë për dy sfidat e rëndësishme të UEFA Champions League ndaj Liverpool, të cilat zhvillohen menjëherë para dhe pas ndeshjes me Lens.
Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe më herët, kur parizienët kishin arritur të shtynin një ndeshje përballë Chelsea. Por këtë herë, reagimi i Lens ka qenë i fortë dhe publik. Klubi francez ka kundërshtuar hapur kërkesën, përmes një komunikate të gjatë, duke theksuar pasojat konkrete që do të sillte një shtyrje. Sipas tyre, anulimi i ndeshjes do ta linte ekipin pa aktivitet për rreth dy javë, për t’u përballur më pas me një kalendar të ngjeshur me ndeshje çdo tre ditë.
Lens argumenton se një ndryshim i tillë do të prishte ritmin konkurrues dhe do të ndikonte negativisht në përgatitjen fizike të skuadrës, sidomos duke pasur parasysh diferencat e burimeve me PSG-në. Më tej, klubi ngre një shqetësim më të gjerë: rrezikun që kampionati francez të përshtatet gjithnjë e më shumë me nevojat e klubeve të mëdha në Europë, duke humbur balancën dhe barazinë konkurruese. Me vetëm një pikë diferencë në renditje, pesha e kësaj ndeshjeje është e madhe. Por përtej fushës, përplasja mes Lens dhe PSG po hap një debat të rëndësishëm mbi raportin mes kampionateve kombëtare dhe kompeticioneve europiane, si dhe mbi fleksibilitetin që u jepet skuadrave që garojnë në të dyja frontet.
sfidanti.al

