Milani ka vënë qartësisht në plan të parë përforcimin e mesfushës në këto javë të para të merkatos. Pas marrëveshjes me Luka Modric-in, që do t’u bashkohet kuqezinjve pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube me Real Madridin, klubi po shton presionin edhe në drejtim të Granit Xhakës dhe Javi Guerra-s. Për mesfushorin shqiptar, tratativat janë në një fazë të avancuar. Drejtori sportiv, Igli Tare, ka siguruar miratimin e Xhakës për transferimin, por duhet ende kohë për të arritur akordin me Bayer Leverkusen-in. Klubi gjerman, i vetëdijshëm për kontratën e lojtarit që zgjat deri në vitin 2028, po vlerëson ofertën e parë të Milanit prej 10 milionë eurosh. Në diskutim është përfshirë edhe kartoni i Malick Thiaw, një lojtar i pëlqyer nga Leverkusen-i dhe që disa muaj më parë ishte vlerësuar nga Milan rreth 35 milionë euro. Në lidhje me Javi Guerra-n, pas vështirësive për të siguruar shërbimet e Jasharit (Club Brugge kërkon mbi 30 milionë euro për të), Milani ka intensifikuar kontaktet me Valencian për mesfushorin 22-vjeçar, i cili po luan në Europianin U-21 me Spanjën. Sipas raportimeve të gazetarit Orazio Accomando, në ambientet e klubit në Via Aldo Rossi mbizotëron optimizëm, por për ta mbyllur marrëveshjen nevojitet një përpjekje shtesë.
Tare ka vënë në tavolinë 21 milionë euro për futbollistin e lindur më 2003, por Valencia kërkon të paktën 25 milionë, edhe për shkak se 30% e shumës së shitjes do t’i kalojë Villarrealit, klub që zotëron një pjesë të kartonit.
Milan ndjek nga afër edhe talentin e Parmës, Giovanni Leoni
Në kuadër të investimeve për të ardhmen, Milani është futur gjithashtu në garë për mbrojtësin e ri të Parmës, Giovanni Leoni, i datëlindjes 2006. Pas interesimit të Interit, kuqezinjtë po vlerësojnë seriozisht mundësinë për të siguruar shërbimet e tij. Në këtë garë mund të hyjë edhe Massimiliano Allegri, i ndihmuar nga marrëdhëniet e mira me drejtorin sportiv të Parmës, Federico Cherubini.
sfidanti.al