Jack Grealish nuk do të jetë më pjesë e Manchester City-t. Lajmi është bërë zyrtar nga vetë trajneri Pep Guardiola gjatë një konference për shtypin, duke u dhënë fund spekulimeve të shumta mbi të ardhmen e anësorit anglez. “Jack është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ka nevojë të luajë rregullisht. Në dy sezonet e fundit nuk ka pasur shumë hapësira dhe duhet të rikthejë kënaqësinë për të qenë në fushë çdo tri ditë, për të treguar sërish gjithë talentin e tij”, deklaroi trajneri katalanas, i cili nuk e përfshiu Grealish-in në listën për Botërorin e Klubeve.
I transferuar në vitin 2021 nga Aston Villa për një shifër rekord prej rreth 117 milionë eurosh, aventura e Grealish te “Citizens” ka qenë me ulje-ngritje. Megjithatë, pavarësisht vështirësive fillestare për t’u përshtatur, numri 10 kontribuoi në një periudhë historike suksesi për City-n, duke fituar Premier League-n, FA Cup, Ligën e Kampionëve dhe trofe të tjerë kombëtarë. Në total, ai ka grumbulluar 156 paraqitje me fanellën blu dhe ka lënë gjurmë në ciklin fitues të Guardiolës.
Tregu i transferimeve është vënë tashmë në lëvizje për të: disa klube në Premier League dhe jashtë saj kanë shprehur interes për shërbimet e Grealish-it, i cili është i vendosur të rifillojë karrierën në një projekt ku mund të jetë sërish protagonist. Në moshën 29-vjeçare, ai kërkon motivime të reja dhe vazhdimësi për të rikthyer formën që dikur e shndërroi në një nga talentët më të ndritshëm të futbollit anglez dhe për të fituar sërish vendin në kombëtare.
sfidanti.al