Barça, Isak për sulmin nëse s’vjen Halandi, dhe Kundeja për mbrojtjen!

Për një klub në krizë financiare, shpenzimet e mëdha nuk mund të jenë në rend të ditës. Barcelona e di këtë dhe e kupton se për momentin nuk konkurron dot me Realin apo me klubet angleze e PSG-në. Kjo bën që në “Kamp Nou” të ketë dyshime nëse Erling Halandi do të mund të merret në verë, ndaj edhe bëhen plane alternative. Për sulmin, si kandidat tjetër i mundshëm cilësohet Aleksandër Isak, sulmuesi 22-vjeçar suedez i Sociedadit, ndonëse ka edhe emra të tjerë. Gjithashtu, mendohet për mbrojtjen sepse mund të largohen Ymtiti e Lengle, dhe besohet se trajneri Ksavi pëlqen francezin 23-vjeçar të Seviljes, Zhyl Kunde. Për kartonin e Isakut do të duheshin rreth 40 milionë euro (ndonëse klubi spanjoll kërkon 80-90 milionë), sipas vlerësimeve të “transfermarktit”, ndërsa Sociedadi është në pozitë të fortë sepse kontrata e sulmuesit vlen deri në 2026. Për Kundenë do të duheshin më shumë, rreth 60 milionë euro, por tek Sevilja kanë më shumë urgjencë sepse kontrata e mbrojtësit francez përfundon në 2024, dhe ai nuk duket se ka dëshirë për të rinovuar.

Sfidanti.al