Babai i Florian Wirtz shpjegon arsyen pse djali nuk po luan në nivelin që pritej

Florian Wirtz realizoi një transferim prej 125 milionë eurosh nga Bayer Leverkusen te Liverpooli në verën e vitit 2025, por mesfushori gjerman ende po pret golin e tij të parë ose asistimin e parë në Premier League. Së fundmi, megjithatë, ai ka treguar shenja përparimi, duke regjistruar dy asistime në fitoren 5-1 në Ligën e Kampionëve kundër Frankfurt dhe duke impresionuar në fitoren 1-0 ndaj Real Madridit.

Megjithatë, pritshmëritë mbeten të larta për mesfushorin me tipare sulmuese. Në një intervistë për “Bolzplatz”, babai dhe agjenti i yllit gjerman, Hans Wirtz, mbrojti djalin e tij përballë kritikave në rritje. “Ne besojmë se Florian do të justifikojë atë çmim. Që nga fillimi, mendimi im ishte: le të presim dhjetë ndeshjet e para të ligës. Ne, dhe Florian gjithashtu, mund të jetojmë me këtë”.

Hans Wirtz pranoi se përshtatja me futbollin anglez ka qenë një sfidë. “Shpejtësia e jashtëzakonshme, lëvizjet e vazhdueshme përpara-mbrapa, kjo ishte shumë impresive në ndeshjet e para. Distancat dhe ritmi ishin qartë më të mëdha se në Bundesligë. Stili i lojës është gjithashtu shumë i ndryshëm, nuk duket aq i organizuar, por shumë më i fokusuar te tempoja”. Pavarësisht periudhës së përshtatjes, ai mbetet optimist për të ardhmen e djalit të tij në Angli. “Florian është integruar mirë me skuadrën dhe shokët e tij të ekipit e njohin plotësisht cilësinë e tij”, përfundoi babai i yllit gjerman.

sfidanti.al