AZ Alkmaar turpëron PSV-në në shtëpi

PSV Eindhoven ka pësuar një humbje të rëndë në shtëpi në finalen e Superkupës së Holandës. Kampionët në fuqi të vendit u mposhtën me rezultatin e thellë 0-4 nga AZ Alkmaar në ‘Johan Cruyff Shield’, duke i dhënë trofeun skuadrës që kishte fituar Kupën e Holandës sezonin e kaluar.

Ndeshja e zhvilluar në ‘Philips Stadion’ mori një kthesë të pafavorshme për PSV-në që në minutat e para. Në minutën e 9-të, Joey Veerman u ndëshkua me karton të kuq direkt, duke lënë ekipin e trajnerit Peter Bosz me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të sfidës.

AZ Alkmaar përfitoi menjëherë nga superioriteti numerik dhe kaloi në avantazh në minutën e 25-të me golin e Mexx Meerdink. Miqtë shkuan në dhomat e zhveshjes me epërsinë minimale, por në pjesën e dytë shpërthyen plotësisht. Në fraksionin e dytë, AZ shënoi edhe tri herë të tjera duke e kthyer ndeshjen në një festë. Weslley Patati realizoi golin e tretë në minutën e 51-të, Elijah Dijkstra e çoi rezultatin në 0-3 në minutën e 58-të, ndërsa Ro-Zangelo Daal vulosi triumfin me gol nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 66-të.

Me këtë sukses, AZ Alkmaar fitoi Superkupën e Holandës për herë të dytë në histori. Trofeu i parë i këtij kompeticioni për klubin nga Alkmaari kishte ardhur në vitin 2009. Ndërkohë, për PSV-në kjo ishte një mbrëmje për t’u harruar, e ndikuar në mënyrë vendimtare nga kartoni i kuq i hershëm.