Është padyshim goditja e madhe e verës. Të shpenzosh 105 milionë paundë stërlina për një futboll, që do të thotë mbi 121 milionë euro, nuk është aspak gjë e vogël, e mund të mbetet rekordi i vitit. Këtë e bëri Arsenali që mori kapitenin e Uest Hemit, Deklan Rajs. Suksesi u arrit pas një konkurrence të fortë me Mançester Sitin, ndërsa vendimtar ishte vullneti i vetë futbollistit. Uest Hemi e refuzoi ofertën e Arsenalit prej 105 milionë paundësh, por pastaj mesfushori kërkoi që ajo të pranohej.
Mançester Siti i trajnerit Pep Guardiola u ndal në kuotën 90 milionë paundë. Pritet që mesfushori anglez të nënshkruajë një kontratë afatgjatë me “topçinjtë” me rrogën prej 250 mijë paundësh në javë, siç jepet në Angli. Rajsi është 24 vjeç dhe ka qenë gjithmonë lojtar i Uest Hemit derisa u bë kapiten. Ai ndihmoi ekipin të fitonte Ligën e Konferencës këtë vit, ndërsa është kthyer në një nga futbollistët më të rëndësishëm të kombëtares së Anglisë, për të cilën ka luajtur plot 45 ndeshje.
Sfidanti.al