I pari është tashmë pjesë e kuqezinjve, ndërsa të dytin mund ta kemi shpejt. Flasim për Anis Mehmetin dhe Ermal Krasniqin, dy futbollistë shqiptarë që shënuan së fundmi në ligat europiane. Mehmeti ishte protagonist i madh i Bristol Sitit në kategorinë e dytë në Angli, duke shënuar golin e fitores 2-1 në fushën e Stouk Sitit. Kishin mbetur edhe pesë minuta deri në fund, kur mesfushori sulmues tundi rrjetën. Karriera e tij po ecën mjaft mirë, ndërsa në 27 mars debutoi në kombëtaren shqiptare në pjesën e dytë të ndeshjes në Poloni për Euro 2024. “Ishte e shkëlqyer, – tha ai, – Arritëm fitoren në fund me golin tim. Po e prisja prej shumë kohësh këtë gol dhe shpresoj të shënoj përsëri. Natyrisht, kjo më jep më shumë besim. Unë i kam vënë vetes standarde të larta. Unë duhet të vazhdoj kështu dhe të jap kontribut për skuadrën”.
Sfidanti.al