Premier League po përgatitet të mirëpresë një pjesë të tifozëve në stadium. Duke nisur nga 2 dhjetori, impiantet sportive në Britaninë e Madhe mund të presin një numër të kufizuar tifozësh në bazë të zonës ku ndodhen. Në Tier 1, ajo që ka më pak kufizime do të pranohen 4000 tifozë(ose 50% e kapacitetit në rastin e stadiumeve të vegjël). Në Tier 2 do të ketë vend për maksimumin 2000 persona, ndërsa në vendet Tier 3 dyert e impianteve do të mbeten të mbyllura.
Për momentin në kategorinë e zonave me nivelin më të ulët të përhapjes së virusit, Tier 1, do të hyjnë vetëm stadiumet e Southamptonit e Brightonit. Në Premier League, ndeshjet luhen me dyer të mbyllura që nga rifillimi I ndeshjeve pas periudhës së parë të karantinimit, përjashtim bëri vetëm miqësorja e gushtit mes Chelseat dhe Brightonit. Qeveria Johnson bëri të ditur në detaj se cilat do të jenë kufizimet e parashikuar për secilën prej fashave Tier, por nuk është shpërndarë lista e plotë e zonave që do të përfshihen në secilën prej këtyre fashave.