A mund ta bësh trajnerin Ervin Skela? Gjermania mban mend mjeshtrin e topit!

Karrierën e madhe nuk ia kanë harruar. Ervin Skela ishte një nga lojtarët e parë shqiptarë që shkëlqeu në Gjermani, me Frankfurtin, Kaizerslauternin, Kotbusin apo Bilefeldin, dhe pikërisht Ajntrahti i Frankfurtit vendosi t’i besonte drejtimin e njërit prej ekipeve të Akademisë. Shqiptari 44-vjeçar, ish-mesfushor organizator, do të jetë në krye të Frankfurtit U17, ndërsa ka nënshkruar fillimisht një kontratë 1-vjeçare. Skela kishte disa vjet që punonte me ekipet e moshave në Gjermani, dhe që prej verës së kaluar ka qenë pjesë e shkollës së futbollit të Ajntrahtit.

Vlonjati i ka mbajtur lidhjet me drejtuesit e klubit, ashtu si edhe me klbe të tjerë për të cilët ka luajtur dhe shpreson që karriera e trajnerit të jetë e suksesshme. Ai është një nga lojtarët më të mirë shqiptarë që kanë luajtur ndonjëherë në Gjermani, duke qenë pak a shumë brezi i Altin Lalës, që bëri karrierë me Hanoverin për shumë vjet, duke u graduar për mjaft kohë edhe si kapiten i skuadrës së Bundesligës. Skela ka luajtur 168 ndeshje në Bundesligë, ka shënuar 21 gola e ka shërbyer 21 asistë, po ashtu ka 134 ndeshje në Bundesligën e dytë me 32 gola e 16 asistë. Ai ka luajtur gjithashtu 75 ndeshje për ekipin kombëtar duke qenë një nga shënuesit më të mirë me 13 gola.

Sfidanti.al