A e ka vrarë Barcelona La Ligën? Në Madrid mendojnë se po!

Nuk e kanë ngritur ende flamurin e bardhë, por janë shumë pranë. Trajneri Karlo Ançeloti nuk e pranon, por Reali i tij po ia dorëzon gjithnjë e më shumë titullin Barcelonës. Diferenca prej 9 pikësh në krye kur duhen edhe 14 javë nga La Liga, është një sinjal alarmi për kampionët në fuqi, të cilët në 270 minuta futboll kanë shënuar vetëm një herë me goditje standarde. Në fushën e Betisit përfundoi 0-0, pavarësisht rasteve për të dyja skuadrat. “Nën zero, është titulli damkues i “Markës”, tani 9 pikë prapa Barçës. Nëse nuk shënon, nuk fiton, por Ançeloti beson tek titulli!”

“E vërteta është që ishte një ndeshje e hapur, dhe të dyja skuadrat patën rastet e tyre, thotë italiani, – Po ashtu, është e vërtetë që na mungon efikasiteti përpara portës. Ky është një problem që na ka penguar që të shënojmë në tri ndeshjet e fundit”.

Nga i njëjti problem duket se vuan edhe trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez. Katalanasit mezi ia dolën ndaj Valencias edhe pse luajtën në “Kamp Nou”, dhe golin e shënuar nga Rafinja u detyruan ta mbrojnë “me thonj e me dhëmbë”, siç thuhet në këto raste. Ekipi “blaugrana” pati raste, por gaboi, ndërsa edhe kundërshtari iu afrua barazimit. Gjithsesi, Barça luajti për 30 minuta në inferiotet numerik dhe u detyrua të përballonte mungesa të shumta si Levandovskin, Dembelenë, Pedrin e Gavin, madje edhe vetë Ksavin që ishte i pezulluar në tribunë.

Për të përditshmen “Sport” nuk ka rëndësi asgjë përveç fitores: Lamtumirë Madrid! Barça është 9 pikë mbi Madridin, drejt titullit!” Katalanasit kryesojnë La Ligën me 62 pikë ndaj 53 të Realit.

Sfidanti.al