Lacio: Tare premton kontratën e Inzagit, pret Muriqin dhe Fareshin!

E nisën pak a shumë aty ku e lanë, duke luajtur shumë mirë e duke fituar jashtë fushe. Manuel Lazari dhe Çiro Imobile ishin autorët e golave për Lacion në fushën e Kaljarit, dhe skuadra e Simone Inzagit e filloi sezonin e ri të Serisë A me suksesin 2-0. Tomas Strakosha ishte në portë, e Pepe Reina në stol, ndërsa Igli Tare u mor me problemet që kanë dalë në sipërfaqe këto kohë. Inzagi ka kërkuar përforcime, ndërsa kontrata e tij mbetet “në ajër”.

Tare duhej të luante rolin e “zjarrfikësit”. “Me trajnerin do të takohemi këto ditë për rinovimin e kontratës, – tha drejtori sportiv i klubit kryeqytetas, – përsa i përket përforcimeve, ne kemi bërë të tilla, por nuk kemi pasur fat. Ka qenë e vështirë që t’i kemi në skuadër, Muriqi për shkak të Kovidit, ndërsa Fareshi për shkak të dokumentacionit”. Në Formelo do të jetë gati një tjetër lojtar, holandezi i mbrojtjes Uesli Hëd (Hoedt).

Sfidanti.al