Halandi po bëhet “gjel” tek Dortmundi i supertalenteve

Në fushë ishin “zogjtë e vegjël”, Rejna, Belingham e Sanço, e padyshim edhe i riu tjetër nga Norvegjia. Kapiteni Rojs, ashtu si Branti e Delanei ishin lënë në stol, ndërsa i pari nuk ishte në 100 për qind të formës pas dëmtimit. Gjithsesi, “bandës së fëmijëve të tmerrshëm” nuk u mungoi lideri në fushë. Ky ishte Erling Halandi, sulmuesi 20-vjeçar realizoi dy gola në fitoren 3-0 të Dortmundit ndaj Gladbahut, por sidomos tregoi veten “gjel” në momentin që do të gjuhej penalltia. Ishte minuta e 53-të kur Xhejdën Sanço mori topin dhe e vendosi në pikën e bardhë të 11-metërshit, por Halandi e konsideroi një fyerje, pasi ishte ai “penalltisti” i skuadrës. Ia mori topin anglezit të ri dhe i tha që të largohej, moment që u kap nga kamerat televizive dhe nga fotografët (në foto). Edhe Emre Xhan i doli në krah Halandit, ndërsa sulmuesi duket se ka autoritetin e duhur që në moshën 20-vjeçare. Ai ka 15 gola tani në 16 ndeshje Bundeslige për ekipin, dhe 10 gola në 8 ndeshje në Champions.

Sfidanti.al