Lebron Xhejmsi ishte aty, si përherë një lojtar skuadre, dhe ishin asistet e tij që nxitën yllin e qendrës për t’i dhënë Lejkërsave fitoren e parë në finalen e Konferencës Perëndimore në NBA. Përfundoi 126-114 ndaj Denverit, në një duel që ishte i fortë në çerekun e parë, ndërsa më pas filluan problemet për Nikola Jokiçin. Lojtari i shkëlqyer serb u ndëshkua shpejt me gabime personale dhe kjo ia uli rendimentin në parket. Ai realizoi 21 pikë në vetëm 25 minuta në parket, duke pasur realizim të lartë në gjuajtje, e duke shtuar 5 topa në tabela e 2 asistë. Nëse do të kishte pasur mundësi të luante më shumë, me gjasë do të kishte pasur më shumë se 35 pikë, dhe Denveri do të kishte luftuar më barabar. Më i miri në fushë ishte Entoni Dejvis me 37 pikë, 10 topa në tabela e 4 asistë, ndërsa Lebron Xhejms shënoi pak, 16 pikë, por dha 12 asistë e kapi 6 topa në tabela. Kaq mjaftuan për një fitore komode.
Sfidanti.al