Pothuajse të gjithë klubet e Premier Ligës angleze kanë vërejtje dhe ankesa për kalendarin mjaft të ngjeshur të ndeshjeve të fund-fillimvitit të ri, sipas të cilit disa nga ekipet ishin të detyruar që, brenda 48 orëve të luanin nga dy ndeshje. Në këtë grup bënin pjesë edhe ata ekipe që aspirojnë të fitojnë titullin e Premier Ligës, Liverpuli, Mançester Junajtidi dhe Arsenali. Liverpuli dhe Mançester Junajtidi luajtën tri ndeshje gjatë shtatë ditëve, kurse Arsenali – tri gjatë nëntë ndeshjeve. Pak më shumë pushim patën futbollistët e Çelsit që, të mërkurën, luajtën me Totenhemin dhe që tri ndeshje i zhvilluan gjatë 10 ditëve. “Ne mund të luajmë një futboll shumë më të bukur, por jo brenda një kohe kaq të shkurtër, praktikisht, pa pushuar. Unë u propozova lojtarëve të mi se, nëse nuk duan të luajnë, le të mos luajnë.
Por askush nga ata nuk e pranoi këtë propozim”, deklaroi trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, pas ndeshjes (2-2) me Sanderlendin. Të njëjtin mendim ka edhe trajneri i ManU-së, Zhoze Murinjo, që thotë se, “me të vërtetë, është e vështirë që të luash futboll të bukur në rrethana të tilla, brenda 48 orësh – dy ndeshje”. Por trajneri italian, Antonio Konte, shprehu një mendim krejt të ndryshëm. Ai thotë: “Kam mendimin se ata janë të irrituar, për shkak të vendeve që mbajnë në klasifikim dhe jo për shkak të shumë ndeshjeve. Ata janë xhelozë për neve që kemi një kohë kaq të gjatë në krye të klasifikimit dhe unë i kuptoj ata. Por, unë nuk jam përgjegjës për kalendarin e ndeshjeve”, thotë Konte.
Sfidanti.al