Pjanic shërohet nga Covid 19 pas 2 javësh në karantinë

Miralem Pjanic është shëruar nga coronavirusi. Mesfushori boshnjak këtë të martë bëri të ditur se rezultoi negative në testet për Covid 19, 17 ditë pas testit të parë kur rezultoi pozitiv me këtë virus kështu që në ditët e ardhshme ai pritet të bashkohet me skuadrën e Barcelonës për të nisur stërvitjen për sezonin e ri

‘Sot mora konfirmimin se dola negativ në testin e parë, do të bëj edhe të dytin dhe të mërkurën do të mësoj rezultatin-tha pjanic për portalin sportiv boshnjak SportSport.

Ky portal bën të ditur se nëse gjithcka do të shkojë mirë, Pjanic këtë të mërkurë ose të enjten do të udhëtojë drejt Barcelonës ku do të kryejë të tjera teste për coronavirus dhe  më pas do të nisë përgatitjet e sezonit të ri në La Liga. Pjanic, blerja e re e Barcelonës rezultoi pozitiv me Covid 19 në 22 gusht dhe qëndroi 2 javë  i izoluar në banesën e e tij në Itali dhe nuk kishte probleme përvec humbjes së shijes dhe nuhatjes. Për shkak të qëndrimit në karantinë, Pjanic nuk luajti me përfaqësuesen e Bosnjes në ndeshjet e saj të Ligës së Kombeve ndaj Italisë dhe Polonisë.

Sfidanti.al