Prag Barcelona-Bajern, Europa mban frymën për finalen e parakohëshme të Championsi!

Nuk duan që të dështojnë pikërisht tani. Yjet e Bajernit të Mynihut kanë mbërritur në Lisbonë me bindjen e qartë se gjithçka tjetër përveç fitores së Championsit, do të ishte një disfatë. Gjithsesi, bavarezët e dinë se përballë kanë një pengesë tepër të madhe, Barcelonën. Trajneri Hansi Flik dhe djemtë e tij si Levandovski, Nojer, Myler apo Kimih e dinë se edhe gabimi më i vogël do t’i eleminonte.

Ata duan të kujtojnë shpërthimin e jashtëzakonshëm të vitit 2013, kur edhe u fitua Championsi, dhe kur katalanasit e Mesit, Ksavit e Iniestës, u eleminuan pikërisht në gjysmëfinale, madje me shifrat 4-0 e 3-0. Sot nuk janë më Riberi, Roben, Lahm e Shvajnshtajger, por klasi nuk mungon. Fitoret e sezonit kanë qenë të mëdha, në grupe dhe në turin e dytë, me 8 fitore në 8 ndeshje, dhe me triumfe të mëdha ndaj ekipeve angleze Totenhem e Çelsi. Trajneri Hansi Flik pyetet veçanërisht për rrezikun Mesi.

“Nuk do të luajë Bajerni ndaj Mesit, por ndaj Barcelonës, – ishin fjalët e trajnerit gjerman, – natyrisht, ne duhet të mendojmë mirë sesi duhet të luajmë kundër Mesit, por Barça ka edhe të tjerë si Pike, Grizman, Rakitiç, Suarez. Ter Shtegen është një portier i klasit botëror. Do trë duhet të japim maksimumin që t’ia dalim. Kundërshtari ka cilësi dhe përvojë të madhe, por ne kemi një plan dhe shpresojmë që të shkojë mbarë”.

Barcelona, ndërkaq, beson më shumë tek mundësia në një ndeshje të vetme, sesa tek ajo që ka dhënë këtë sezon. Udhëtimi drejt Portugalisë ishte ai i duhuri, i shkurtër dhe aspak lodhës, por rraskapitja do të jetë në fushë ndaj Bajernit. Lajmet janë të mira të paktën sepse skuadra është e plotë, bashkë me Busketsin, Vidalin madje edhe Dembelenë. Po ashtu, pas panikut për koronavirusin, konfirmimi është se gjendja shëndetësore e futbollistëve është shumë e mirë.

Gjithsesi, shpresa më e madhe është një yll i vetëm. Lionel Mesi ka shkëlqyer ndaj gjermanëve ne 2009 e 2015, kur Barcelona dominoi, dhe ishin sezonet kur fitoi Championsin. Ishin dy breza me ndryshime të mëdha, por numri 10 ishte emëruesi i përbashkët, me golat dhe spektaklin që dhuroi. Pas një sezoni të vështirë si ky i tanishmi, ai e tregoi veten ndaj Napolit, duke mos lënë dyshime për kualifikimin, ndonëse në Gjermani mendojnë se ylli i Bajernit, Levandovski, është mbi “Pleshtin”.

“Levandovski është një lojtar i madh, por nuk është Mesi, – thotë Setieni, – kjo është e qartë. Ai është tani në moment të madh, dhe po ndihmohet nga shokët, por ne e pamë Mesin ndaj Napolit. Mesi është ylli kryesor, por ne gjithmonë kemi besuar në forcën e skuadrës. Bajerni është një skuadër e madhe, që bën presion e sulmon me shumë forca, ndaj duhet të mbajmë topin. Nëse e bëjmë mund t’ia dalim”.

Mediat e Barcelonës janë me tone marshuese. “El Mundo Deportivo” nuk ka asnjë dyshim: Është një finale! Një Barçë jo në maksimum synon gjysmëfinalet me të rejat Buskets e Vidal! Vidal: Jemi ekipi më i mirë në botë! “Championsi nuk mund të shpresojë, – është titulli i të përditshmes tjetër katalanase, “Sport”, – Barça kapet pas magjisë së Mesit për të synuar kalimin e Bajernit të fuqishëm, në çerekfinale!

Në Gjermani, “Bildi” thekson se kjo është ndeshja e Kutinjos, që mund të përcaktojë të ardhmen e brazilianit për të qendruar tek Bajerni. “Kikeri”: Bajerni shkon me besim për të goditur Barcelonën! Tomas Myler mendon se ky është vetëm një stacion tranzit! Myleri ka shënuar 4 gola në 4 ndeshje ndaj katalanasve dhe mund të kalojë Filip Lahmin! Bajerni jepet favorit me kuotën 2 për fitoren, ndaj 3.4 të Barcelonës dhe koeficientit 3.9 për barazimin, në ndeshjen që nis sot në orën 21:00.

Sfidanti.al