“Dueli i kyçit të dorës” me Bajernin për vlerën e transferimit është diçka normale në këtë biznes, si në çdo biznes tjetër. Me gjasë, dy klubet do ta gjejnë fjalën (dhe duhet të ndodhë diku në mes), por me më shumë rëndësi është fakti se Liverpuli është i vendosur për të marrë Tiago Alkantarën. Trajneri Jurgen Klop e di shumë mirë, siç e kanë theksuar disa specialistë futbolli, se ekipi i tij ka nevojë për më shumë klas dhe fantazi në mesfushë, cilësi që Tiago i zotëron. Duke pasur Xhordan Hendersonin, Fabinjon e Vajnaldumin në qendër të fushës, Tiago do të plotësonte nevojën, sidomos për një ekip që do të ketë sezon të ngarkuar në Premier Ligë e në Champions, dhe do të ishte shumë i vlefshëm në ndeshje ndaj kundërshtarëve që luajnë të mbyllur në mbrojtje.
Ish-mesfushori i Barcelonës kaloi tek Bajerni në moshën 23-vjeçare për 25 milionë euro, ndërsa tani bavarezët kërkojnë 33 milionë. Lajmet janë që në Mynih do të kënaqeshin edhe me 30 milionë, ndërsa Liverpuli për momentin nuk dëshiron të japë më shumë se 22. Me gjasë, akordi mund të jetë për rreth 25 milionë euro, dhe ky do të ishte një tjetër transferim i “goditur” për Klopin, pa shpenzime të mëdha, dhe që i siguron një lojtar me personalitet, përvojë të madhe, e që ka luajtur për klube të tillë si Barcelonën e Bajernin.
Sfidanti.al