Këto ndërtesa i bëjnë madhështore që të na trembin. Janë fjalët e Barak Obamës, në versionin e luftëtarit për të drejtat e njeriut, jo të presidentit të Shteteve të Bashkuara, dhe kjo shprehje vlen edhe për Gjykatën Supreme të Zvicrës. Pesë njerëz brenda kësaj ngrehine impozante dhanë vendimin për mbajtjen në fuqi të dënimit të Skënderbeut nga ana e UEFA-s, dënim që parashikon 10 vjet përjashtim nga kupat e Europës (nga i cili kanë mbetur edhe 7), si dhe 1 milionë euro gjobë. Kjo në vijim të pezullimit nga ana e komisioneve të disiplinës së UEFA-s, dhe konfirmimin e ndëshkimit prej Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës.
Pak ditë më parë, pikërisht KAS-i i Lozanës përmbysi vendimin e UEFA-s për përjashtimin 2-vjeçar të Mançester Sitit nga Championsi, pavarësisht akuzave për shkelje të rënda të rregullave të Lojës së Ndershme Financiare. Shefi i Bajernit, Rumenige, udhëhoqi një numër personalitetesh të futbollit, duke akuzuar UEFA-n se ishte përgatitur dobët për gjyqin në KAS, pra duke nënkuptuar se vetë UEFA kishte ndryshuar mendje për dënimin e klubit të madh anglez.
Një ndryshim mendjeje i tillë nuk ndodhi në asnjë moment për Skënderbeun, skuadrën më të shquar shqiptare në kupat kontinentale, duke arritur dy herë në fazën e grupeve në Ligën e Europës. Natyrisht, dyshimet ishin të mëdha për korçarët lidhur me koeficientet e ndeshjeve të dyshuara dhe për shumat e vëna në baste, por po ashtu dyshimet janë të mëdha për mënyrën sesi janë marrë dy vendime të kundërt, për dy klube ekstremisht të kundërt, dikush shumë i fuqishëm, dhe tjetri shumë modest.
Skënderbeu tani do të jetë edhe 7 vjet i përjashtuar nga Europa, madje duke llogaritur vetëm sezonet kur kualifikohet, jo thjesht me kalimin e viteve. Gjithsesi, ish-kampionia e shquar e Shqipërisë e pati një rast të tillë, kur pasi iu hoqi titulli i fituar në vitin 2016, Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit e përpiloi në mënyrë të tillë vendimin, që detyroi KAS-in ta hidhet poshtë dhe t’ia kthente titullin korçarëve.
Sfidanti.al