Në Argjentinë mendojnë se Mesi nuk e do aventurën sa Maradona!

Flet një njeri që i njeh të dy, dhe që njeh edhe mentalitetin e tifozëve në vendin e tij. Ky është Fernando Sinjorini, një nga argjentinasit e shumtë me origjinë nga Italia (siç ia tregon mbiemri), dhe që bën një krahasim të Mesit me Maradonën, e flet për të ardhmen e “Pleshtit”. Thelbi i analizës së ish-përgatitësit atletik të kombëtares së Argjentinës, me trajner Maradonën dhe yll Mesin, është që “Leo nuk e pëlqen aventurën sa Diego”. “Në Argjentinë askush nuk beson se ai do të largohet nga Barcelona, pasi aty është shtëpia e tij, ai është një njeri i familjes aty, dhe është mësuar ashtu”, – thoët Sinjorini. Përsa i përket temperamentit, Sinjorini thotë se “Maradona ishte një lider karizmatik, një rebel i vështirë për t’u kontrolluar, ndërsa Mesi ka origjinë tjetër dhe është më pak eksploziv”. Gjithsesi, ai gjykon se në dy vitet e fundit ylli i Barcelonës ka ndryshuar dhe po tregon një pjekuri shumë më të madhe, diçka që Maradona e pati në moshë shumë më të re, “padyshim për shkak të nevojës”.

Sfidanti.al