Në fushë këtë sezon nuk po shkëlqen si herët e fundit, por kjo nuk do të thotë se ka humbur besimi tek Atletiko e Madridit. Fundi i vitit 2016 solli me vete rekordin e anëtarëve të klubit, aksionerë që në gjuhën spanjolle quhen “socios”. Atletiko ka tani 96 707 “socios”, që do të thotë 15 451 më shumë sesa në fund të vitit 2015, pra një rritje me gati 16 për qind. Objektivi për momentin ka qenë dhe mbetet të arrihet numri 100 000. Më shumë anëtarë, do të thotë më shumë investim dhe më shumë mbështetje për skuadrën e drejtuar nga Diego Pablo Simeone. Kjo ka bërë që drejtuesit e Atletikos t’u ofrojnë anëtarëve të rinj favore financiare. Ata do të kenë mundësi të blejnë 10 për qind më lirë biletat për ndeshjet e skuadrës në “Visente Kalderon”, hyrje falas për ndeshjen e Championsit ndaj Leverkusenit, hyrje falas për ndeshjet e ekipit të femrave dhe të ekipeve të moshave. Ata shpresojnë që Simeone të vazhdojë si trajner, dhe po ashtu Atletiko të vazhdojë të mbetet një nga skuadrat më të forta të Spanjës dhe të Europës.