Tiago Alkantara, Bajerni kërkon që ta ndash mendjen tani!

Bosët bavarezë janë të zemëruar, dhe trajneri Hansi Flik, i shqetësuar. Ata janë në errësirë lidhur me të ardhmen e Tiago Alkantarës, i cili qenka “nyja gordiane”, nga e cila varen transferimet e verës tek Bajerni. Kontrata e Tiagos përfundon vitin e ardhshëm, pra ai mund të largohet me parametër zero në 2021. Nga ana tjetër, revista “Sport Bild” mëson se spanjolli e ka nxjerrë në shitje shtëpinë që ka në Mynih, pra ndoshta mendon që të largohet që tani.

Veçse, tek Bajerni askush nuk ka trokitur për të, madje as Liverpuli që u mendua si alternativa më serioze. Çdo të ndodhë këtë verë me Tiago Alkantarën? Karl-Hajnc Rumenige e bëri të qartë duke thënë se “ne nuk duam të humbasim asnjë lojtar me parametër zero”, por 29-vjeçari as nuk rinovon, dhe as nuk kuptohet nëse transferohet. Nga fati i tij varet gjendja financiare e bavarezëve për blerje, si dhe nëse do të duhet të forcohet mesfusha apo jo.

Sfidanti.al