Shorti i Championsit, Bajerni ndoshta me Barçën, Juvja me Realin ose Sitin!

Nuk mund të kishte përplasje më të fortë, dhe fat më të madh për Paris SG apo edhe Atletikon e Madridit. Ndoshta mund të jetë sezoni i atyre që nuk kanë fituar kurrë, por gjithsesi do të ketë shumë më tepër në këtë Champions, ku pritet të jenë duele zjarri në çerekfinale. Goglat në Nion të Zvicrës përcaktuan se Bajerni i Mynihut (që me 99 për qind do ta kalojë Çelsin) do të ndeshet me fituesin e çiftit Barcelona-Napoli. Me gjasë, katalanasit mund të kualifikohen (edhe pse nuk e kanë aspak të sigurt), dhe po ashtu është e mundshme që të detyrohet të ulin kokën para bavarezëve, siç bënë në 2013. Duket e pamundur që kjo Barcelonë t’i bëjë ballë Bajernit të Hansi Flikut e Robert Levandovskit.

Po ashtu, duel i madh në çerekfinale do të jetë ai mes fituesve të çifteve të turit të dytë. Ai që do të mbijetojë nga Mançester Siti-Real Madrid, do të ndeshet me triumfatorin e duelit Juventus-Lion. Siti ka fituar 2-1 në Madrid dhe do të jetë, padyshim, favorit në “Etihad”, ndonëse ndaj një kundërshtari 13 herë kampion të Europës si Reali, asnjëherë nuk ke siguri. Juventusi ende jepet favorit ndaj Lionit, dhe nuk dihet se në çfarë forme do të jetë skuadra franceze, sepse kampionati i futbollit në Francë nuk rifilloi. Lioni ka fituar 1-0 ndeshjen e parë, por gjithsesi le të themi se mund të kemi një Siti-Juve apo Real-Juve. Përveç kësaj, në gjysmëfinale do të ndeshen fituesit e këtyre çifteve, me ata të paragrafit të mësipërm.

Në krahun tjetër është më e lehtë, apo kështu duket. Atletiko e Madridit do të ndeshet me Lajpcigun, dhe Atalanta do të përplaset me Paris SG. Fituesit e këtyre çifteve do të ndeshen mes tyre në gjysmëfinale.

Shorti çerekfinal

Siti/Real-Juve/Lion

Barça/Napoli-Bajern/Çelsi

Atalanta-Paris SG

Atletiko Madrid-Lajpcig

Shorti gjysmëfinal

(Siti/Real-Juve/Lion)-( Barça/Napoli-Bajern/Çelsi)

(Atletiko Madrid-Lajpcig)-( Atalanta-Paris SG)

Sfidanti.al