Interi zbret në vend të katërt, tifozët të acaruar me “Lipin e dytë”!

Për ultrasit nuk ka asnjë dyshim se ky është një mision për të shkatërruar skuadrën e tyre të zemrës. Antonio Konte, sipas tyre, po vazhdon me sukses skenarin e dikurshëm të Marçelo Lipit (ndonëse, jo të Xhovani Trapatonit), kakofoni që u forcua shumë pas barazimit 2-2 në fushën e Veronës. Pak minuta i ndanë lavdërimet për “përmbysjen heroike” të Serisë A dhe për afrimin me vendin e dytë, nga akuzat dhe sharjet.

Interi pësoi gol që në minutën e dytë në “Bentegodi”, vuajti shumë në pjesën e parë, dhe arriti të reagonte pas pushimit falë një Romelu Lukaku madhështor, por edhe një Aleksis Sançezi që duket i ringjallur. Lukaku goditi shtyllën dhe ndihmoi Kandrevën të barazonte, pastaj Dimarko shkaktoi autogol, por Interi nuk qe e thënë të mbahej deri në fund, edhe pse Godin luajti më në fund mirë. Në minutat e fundit, me Konten që kishte bërë vetëm dy zëvendësime nga pesë të lejuara, Amir Rrahmani krijoi golin e barazimit, duke depërtuar në zonë, e duke shërbyer për Veloson që dërgoi topin në rrjetë. Ishte minuta e 86-të, dhe Interi humbi shansin për të qenë vetëm 1 pikë prapa Lacios së vendit të dytë, e për të zbritur në vend të katërt, pas Atalantës.

Sfidanti.al