Harri Kejn me siguri që u shty në zonë nga mbrojtësi i Bornmuthit, Xhoshua King. Duhej të kishte qenë një penallti, por arbitri nuk vërshëlleu në favor të Totenhemit, që humbi një rast të madh për të shënuar. Ky moment, patjetër që e nervozoi dhe e dëshpëroi Zhoze Murinjon, me ekipin e tij që është 9 pikë larg zonës Champions, kur duhen edhe vetëm 4 ndeshje deri në përfundim të Premier Ligës. Totenhemi ka 50 pikë ndaj ndaj 59 të Leisterit, ndërsa përpara tij janë edhe Mançester Junajtidi, Uolvesi, Shefild Junajtidi dhe Arsenali.
Gjithsesi, momenti i shtyrjes së Kejnit ndodhi në një pjesë të parë, kur “gjelat” e Londrës nuk bënë dot thuajse asgjë tjetër, nuk krijuan dot raste të mirë për gola, nuk furnizuan sa duhet sulmuesin kryesor, ndërsa u vunë nën presion nga skuadra vendase, që luftoi fort. Bornmuthi rrezikon të bjerë nga kategoria dhe një lojë e tillë pritej. Pas pushimit, madje Bornmuthi shënoi me anë të Xhoshua Kingut, por goli u anulua nga VAR-i, për prekje të topit me dorë. Për fat të keq, në rastin e Kejnit nuk u përdor VAR-i. Sidoqoftë, Totenhemi nuk bëri dot asnjë gjuajtje në portë, hera e parë që i ndodh Bornmuthit në 186 ndeshje në Premier Ligë!
Sfidanti.al