Paska edhe një “lajm të mirë” që fshihet në barkun e një lajmi shumë të keq! Ajo që u quajt ndeshja e turpit, apo aktrimi i shpifur mes Bylisit e Tiranës, një ndeshje e kurdisur me ligësi, hetimi i FSHF-së ka “gjetur” thesarin.. mu në tokën e djegur. “Ekpsertët” zyrtarë, duke gjurmuar ndeshjen e tredhur në gjithë “skutat” e saj , ashtu siç pritej me padurim, paskan zbuluar një rrethanë lehtësuese! Shuma e vënë për bastin e ndeshjes na qënka djegur dhe “grabitqarët” nuk e paskan kullufitur siç duhet prenë e shenjuar! Sa me fat jemi kur flitet për trukime, madje me më shumë fat është futbolli që na ka ne, të cilëve na pengon babëzia për t’i shkuar pazarit deri në fund.
Kur presidenti i Tiranës tha se Zoti dhe portieri Lika na shpëtuan nga ai bast famëkeq, shumë vetë që “vdesin” sa herë që futbollin e vrasin për shkak të basteve, kanë pyetur me shpoti : basti primar i ndeshjes ka qënë përmbysja e rezultatit apo kjo sasia e golave? Por, le të besojmë se basti qënka djegur, por cili do ta harronte sjelljen e paskrupullt të futbollistëve, shtirjen e ulët aktoreske, e cila arriti kulmin në pjesën e dytë. Aq diletante në interpretim , sa dikush paska humbur shpresën : “ Kemi gjithë këto vite që bëjmë sikur luajmë futboll të ndershëm, dhe prapëseprapë, estrada nuk fshihet dot ngaqë futbollistet janë nxënës të dobët, madje ngelës të thekur”.
Aq të pazot, sa mund ta quajmë dhe paaftësi flagrante për të vjedhur besimin e tifozëve! Basti na qënka djegur? Një lajm i mirë , të cilin e polli lajmi i keq. Sipas kësaj logjike, kjo ishte një tentativë e dështuar dhe kur nuk merr “flakë prona”, pse të mërzitemi. Bile, “Partia e futbollit”, kjo FSHF-ja , edhe po nuk e gjeti armikun pas këtyre hetimeve, një gjë është e sigurt: do të dalë edhe më e fortë! Fundja, ky ishte hetimi i parë i FSHF-së dhe fati u bashkua me ta qysh në të parën. Dikur nuk na digjeshin skedinat dhe e pësuam! Tani duhet te gezohemi .. sepse një erë e re ka nisur, do të ketë më shumë skedina të djegura…
Sfidanti.al