Pse humbi Tirana? Kur skuadra nuk mbrohet nga brenda, vështirë të fitojë!

Mjaftoi një humbje e përfolur në Ballsh ndaj Bylisit në Kupë, që të krijohej një gjendje e vështirë. Tirana e tregoi se nuk po ndihej mirë, kur u dominua nga Kukësi në “Selman Stërmasi”, në një ndeshje krejt tjetër nga ajo që e fitoi 2-1 në “Elbasan Arena”. Përfundoi njësoj, veçse këtë herë për veriorët, të cilët mbajtën me shpresë veten për titullin kampion, pasi janë 6 pikë prapa, ndërsa janë edhe 12 pikë në lojë. Me lojtarë të fortë përpara si Rroca, Musolli, Etemi apo Abazaj, por edhe zëvendësuesi Kuper, skuadra e trajnerit Orges Shehi tregoi se e përballoi presioni dhe se luajti për nderin e saj.

Tirana, në të kundërt, nuk ishte vetvetja, madje edhe në pjesën e parë kur vërtet rezultati doli 0-0, por ku kuksianët kishin më shumë mundësi për të shënuar. Kuper dhe Etemi ishin autorët e golave për Kukësin, që goditi edhe dy herë shtyllat, ndërsa Majkëll Ngo thjesht ngushtoi diferencën në fund, në 94’. Çfarë ndodhi me Tiranën? Duke mos i hequr asnjë meritë Kukësit, që e luajti ndeshjen fort, duhet thënë se kryeqytetasit ishin larg formës normale. Mungesat ishin, si Doka e Batha, por nuk mund të ishin justifikim për humbjen. Me gjasë, ajo që ndodhi gjatë apo më shumë pas ndeshjes me Bylisin ka krijuar çarje. Vetë presidenti i klubit, Refik Halili foli i skandalizuar për atë që i panë sytë, duke akuzuar njerëz jashtë skuadrës, por nënkuptimi nuk mund të ishte tjetër përveçse që “tradhëtarët” ishin në ekip. Duke mos u mbrojtur nga brenda, Tirana nuk mund të ishte e fortë për të përballuar presionin nga jashtë, dhe ja tani rrezikon sado pak një titull që ishte thuajse i fituar.

Sfidanti.al