Champions, UEFA ndjen presionin; sfidat e 1/8 të finaleve jo në fushë neutrale?

Duket se ndeshjet e kthimit të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve nuk do të luhen në fusha neutrale. Lajmi publikohet nga e përditshmja spanjolle AS sipas së cilës UEFA ditën e premte kur të hidhet shorti i cerekfinaleve të këtij kompeticioni do të formalizojë edhe vendimin e saj që sfidat e mbetura të këtij raundi të luhen sipas skemës që ishte para pandemisë, dmth në fushat e skuadrave që do të jenë pritëse.

Që do të thotë se Reali i Madridit do të duhet të luajë në Etihad Stadium për të përmbysur humbjen e parë ndaj Manchester City 2-1, Barcelona do të presë në Camp Nou Napolin pas barazimit 1-1 në San Paolo, Bayerni që ka fituar ndeshjen e parë 3-0 do të luajë në Allianz Arena ndaj Chelseat dhe Juventus do të presë në Torino Lyonin për të përmbysur humbjen 1-0 në Francë.

Gjithnjë sipas AS, UEFA tentoi deri në minutën e fundit që të mundësojë zhvillimin e këtyre ndeshjeve në Portugali ku do të luhet edhe pjesa e mbetur e sezonit në Champions League dhe ideja ishte që sfidat e 1/8 të finaleve të luheshin në Porto dhe Guimaraes. Por presioni I Manchester City dhe Barcelonës për të luajtur ndeshjet në stadiumet e tyre dhe për të mos lejuar Realin e Madridit të luajë në fushë neutrale bënë që UEFA të tërhiqet nga plani i saj.

Ndeshjet e mbetura të 1/8 të finaleve do të luhen në 7 dhe 8 gusht, me skuadrat e kualifikuara që do të bashkohen me PSG, Atletico Madrid, Atalanta dhe Leipzig. Sfidat cerekfinale do të luhen në 12-15 gusht, gjysmëfinalet në 18 dhe 19 gusht, ndërsa finalja do të luhet në Da Luz në 23 gusht. Të gjitha sfidat do të luhen në orën 21:00 dhe me dyer të mbyllura.

Sfidanti.al