Ky është sezoni i Odise Roshit, “raketa” nuk ndalet në Rusi!

Kaq shumë në një vit sportiv nuk i kishte shënuar as në Shqipëri. Odise Roshi po jeton sezonin më të mirë të karrierës së tij si futbollist, dhe u desh të mbërrinte moshëm 29-vjeçare që të realizonte pjekurinë e vërtetë. i mbiquajturi “raketa” që kur ishte adoleshent, më në fund po shkëlqen në Premier Ligën e Rusisë, duke shënuar 7 gola në këtë edicion.

Roshi është lojtari më i mirë i skuadrës së tih, Ahmat i Groznit, dhe me golat e me lojën e tij, është kthyer në faktorin kryesor që jep shpresë për mbijetesë. Ai realizoi dy herë në ndeshjen e fundit ndaj Arsenalit të Tulës, fituar nga çeçenët me rezultatin 3-1. Pas kësaj paraqitjeje, ai u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, dhe u zgjodh në formacionin e javës në Premier Ligën ruse, i vetmi futbollist i Ahmatit që ia doli. Shqiptari shprehet se golat e tij kanë ardhur si pasojë edhe e përmirësimit të tij, por edhe për shkak se skuadra e drejtuar nga trajneri Igor Shalimov, ish-lojtar i Rusisë dhe i Interit të Milanos, po luan më mirë se më parë.

Pas përpjekjeve të shumta në Superligë me Apoloninë e Flamurtarin, në Gjermani me Këlnin e FSV Frankfurtin, e pastaj në Kroaci me Rijekën, sot ai ndihet i plotësuar si profesionist me Ahmatin e Groznit. Kohët e fundit është kthyer në një lojtar vendimtar edhe për kombëtaren e Shqipërisë, ku ka dhënë kontribut të madh duke shënuar 5 gola në 57 ndeshje, si dhe duke shërbyer asiste për shokët e skuadrës.

Sfidanti.al