Nuk ka ndeshje tjetër që të ketë kaq shumë histori dhe që të krijojë njëkohësisht thellësisht ndarje, por edhe bashkim. i tillë është derbi i Gllazgout, Sëlltik-Rejnxhërs në Skoci. Dy klubet më të mëdhenj të vendit, dhe ndër më të njohurit në botë, u ndeshën në ditën e fundit të vitit në stadiumin “Ajbroks” (Ibrox) dhe siç ka qenë traditë vitet e fundit, fituan jeshilët miq. Të drejtuar nga ish-trajneri i Liverpulit, Brendan Roxhers, Sëlltiku nuk e pati aspak punë të thjeshtë, dhe pësoi gol nga Keni Miler në 12’, por barazoi fillimisht me Musa Dembelenë në 34’, dhe pastaj shënoi golin e fitores në 70’ me anë të Skot Sinklerit.
Qyteti më i madh i Skocisë u nda edhe një herë përgjysmë mes “protestantëve” të Rejnxhërsit dhe “katolikëve” të Sëlltikut, një duel që ka shumë urrejtje, por edhe dashuri të thellë, meqë është krenaria më e madhe sportive për patriotët skocezë. Sëlltik fitoi ndeshjen numër 148, në një seri të gjatë që ka nisur në vitin e largët 1888. Dënimi i Rejnxhërsit në kategorinë e katërt disa vjet më parë, bëri që Sëlltiku të krijonte një epërsi, ndërsa bilanci është ngushtuar, me blutë që kanë 159 fitore ndaj 148 të jeshilëve, me bilancin në kampionat, 119 fitore Rejnxhërsi, 102 fitore Sëlltiku dhe 85 barazime.
Të dyja skuadrat kanë dominuar futbollin skocez dhe Rejnxhërsi ka fituar 53 tituj kampion, e Sëlltiku 47. Ekipi i fundit që ia prishi hegjemoninë ishte Aberdini i Sër Aleks Fergusonit në 1985.