Tomas Souçek ishte një njeri i dërrmuar pas autogolit ndaj Totenhemit, që i kushtoi skuadrës së tij humbjen e derbit në Premier Ligë, dhe rrezikimin e pozitave në elitë. Ai u çorodit edhe më shumë kur, pas 3 minutash vonese, VAR-i i anuloi një gol të shënuar për Uest Hemin ndaj Çelsit, në derbin tjetër të Londrës, një sfidë po aq e rëndësishme për mbijetesën. “Nuk po arrija ta mblidhja veten, – tha futbollisti i Republikës Çeke, – isha shumë i dëshpëruar”. Gjithsesi, Souçeku arriti ta shënonte golin e tij, duke barazuar përkohësisht rezultatin në 1-1, e duke qenë një nga “katalizatorët” për fitoren e “çekiçëve”.
Uilliam me penallti kaloi Blutë e Londrës në epërsi, pastaj Souçek barazoi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Majkëll Antonio kaloi vendasit në epërsi e Uilliam barazoi në 72’. U desh goditja e ukrainasit Andrij Jarmolenko që Uest Hemi të fitonte në minutën e parafundit, dhe të ngjitej në vendin e pestë nga fundi me 30 pikë, ndaj 27 të zonës së ftohtë. Jo vetëm kaq, por kjo humbje bëri që skuadra e Frenk Lampardit të rrezikojë shumë vendin në Champions. Çelsi është i katërti me 54 pikë, por Mançester Junajtid ka 52 dhe Uolvesi po kaq, duke pasur gjithashtu 32 ndeshje, si londinezët. Pak më prapa janë Arsenali me 46 pikë, Totenhemi me 45 (31 ndeshje) e Bërnli me 45 pikë.
Sfidanti.al