Tirana nuk është vetëm Egboja, Ngo shënon për titullin e për racizmin!

Aksioma e futbollit është kjo: Nëse luan mirë, rezultati normalisht vjen. Ky normalitet është kthyer më në fund tek Tirana që kaloi një provë të vështirë në Korçë, duke marrë një fitore me përmbysje, edhe pse u godit shpejt. Skuadra kryesuese e Superligës, e drejtuar nga trajneri Emanuel Egbo, përballoi golin e hershëm të ish-kampionëve, të ekipit të drejtuar nga një mjeshtër i stolit si Ilir Daja, për të triumfuar 2-1 e për t’u kthyer në Tiranë me tri pikët.

Heroi ishte sulmuesi kryesor, Majkëll Ngo, njeriu që di të dominojë ndeshjet, por edhe të bjerë shumë lehtë pre e gjaknxehtësisë. Në stadiumin “Skënderbeu”, Ngo u paraqit në versionin më të mirë, duke qenë autor i të dy golave, dhe protagonisti numër 1 i përmbysjes në vetëm 5 minuta. Shënoi në të 71-ën, e pastaj në të 76-ën, si zotërues i vërtetë i zonës.

Nuk harroi as të vendoste gjurin për tokë, ndoshta një falenderim për Zotin që duhet ta besojë, apo ndoshta edhe shenjë mbështejeje për lëvizjen “Jetët e zezakëve vlejnë”. Tirana ka tani 65 pikë ndaj 56 të Kukësit, duke ruajtur diferencën +9, ndërsa mbeten edhe 5 javë deri në përfundim, pra edhe vetëm 15 pikë. Titulli i parë kampion pas 10 vjetësh, i 25-ti në histori, dhe ai i duhuri për të festuar 100-vjetorin e themelimit të klubit, është gjithnjë e më pranë.

Sfidanti.al