Nervat e Taulant Xhakës i pëlqejnë Beshiktashit, gjigandët e Stambollit e duan në Turqi!

Është tepër gjaknxehtë, por pikërisht për këtë karakter edhe vlerësohet shumë. Taulant Xhaka, një nga lojtarët më të mirë të kombëtares shqiptare për shumë vjet, mund të hedhë një hap të rëndësishëm në karrierë tani në moshën 29-vjeçare. Shqiptari i Kosovës, shpesh kapiten i Bazelit në Zvicër, pritet të luajë për gjigandin e Superligës turke, Beshiktashin.

Mediat turke shkruajnë se klubi stambolli është i interesuar për mesfushorin mbrojtës të Bazelit, i cili mësohet se ka kontratë në “Sent Jakob Park” deri në 2021. Xhaka është një futbollist me përvojë të madhe ndërkombëtare, pasi ka luajtur gjatë në elitën e Zvicrës, po ashtu në kupat e Europës. Në karrierën që e ka nisur me të rriturit në vitin 2011 ka luajtur rreth 400 ndeshje me klubet e me kombëtaren, nga të cilat 31 me Shqipërinë.

Ai ka shënuar pak gola, 13 gjithsej, por gjithashtu ka shërbyer shumë asistë, si dhe ka qenë tepër i vlefshëm në fazën mbrojtëse. Për kombëtaren kuqezi, golin e vetëm e ka shënuar ndaj Izraelit në “Elbasan Arena” në shtator 2018, në ndeshjen e grupit në Ligën e Kombeve, ndërsa kulmin e ka pasur me pjesëmarrjen në finalet e Europianit 2016.

Sfidanti.al