Mund të jenë tepër të ndryshëm, edhe pse kanë një “emërues të përbashkët”, etikën e punës. Nëse Kristiano Ronaldon e ka ndihmuar talenti për t’u ngjitur shpejt në majë, nga Sportingu tek Man. Junajtidi, Reali e Juventusi, Mauricio Sarri është detyruar të “djersisë derrçe”, duke studiuar taktikën dhe sekretet e futbollit, për t’u bërë nga financier banke, nga trajner tek “liliputi” Stia, e për të arritur tek Juventusi.
Gjithsesi, dy personazhet më të rëndësishëm juventinë kanë një kundërshti mes tyre, taktikën. Nëse Sarri e ka sikur të jetë një “libër i shenjtë”, Kristiano Ronaldo kërkon më shumë liri individuale, të cilën zakonisht e ka shpërblyer me gola. Para finales ndaj Napolit, CR7-ta u shpreh se “nuk më pëlqen të luaj si numër 9”, pra si sulmues. Sarri zakonisht e ka vendosur pikërisht si numër 9, për ta përshtatur me skemën, e për të aktivizuar Dibalën e Dagllas Kostën.
Gjithsesi, pas finales së dytë të humbur këtë sezon, Sarri është në pikëpyetje në Torino, dhe drejtuesit e klubit nuk duan të dëgjojnë diskutime për taktikën, por fitore të trofeve. Futbolli i “Zonjës” mund të jetë më i mirë, por ende jo efikas sa duhet, ndërsa Ronaldo do të donte që Sarri të bënte si Zidani apo Ançeloti, trajnerë më pak fanatikë taktikisht, por më të aftë për të menaxhuar yjet e tyre të mëdhenj.
Sfidanti.al