Nuk dihet nëse do të jenë në gjendje që ta bindin. Në Federatën Shqiptare të Futbollit shpresohet që kryeministri i vendit, Edi Rama, të hapë dritën jeshile për të lejuar zhvillimin me spektatorë të derbit mes Partizanit e Tiranës, në “Arenën Air Albania”. Supersfida është llogaritur në 7 korrik, dhe ka pasur kontakte mes Federatës e qeverisë për të bërë të mundur kthimin e tifozëve në stadium.
Përvoja në Serbi, ku u luajt me publik derbi i Beogradit, Partizan-Crvena Zvezda, tregoi se diçka e tillë ishte e mundshme, aq më shumë që epidemia e koronavirusit nuk është se ka goditur aq shumë, duke pasur vetëm 6 vdekje në 7 ditë pas ndeshjes, me jo me shumë se 500-600 raste të reja.
Gjithsesi, kryeministri nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. Në Federatë besojnë se ai po pret që të ketë një ulje të numrit të rasteve ditore, përpara sesa të marrë një vendim, në mënyrë që ta ketë më të lehtë për të vendosur, dhe për të mos pasur kritika të ashpra nga opozita. Me gjasë, do të bëhet një provë, duke lejuar që tifozët të shkojnë në stadium të pajisur me maska dhe doreza.
Sfidanti.al