Gatuzo fiton “Kupën” me dhurimin e rrogës për punëtorët e Napolit!

Do të japë një pjesë të saj, dhe ndonëse mëshira nuk e shpëton botën, përderisa këto halle nuk janë zgjidhur ndryshe, le ta vlerësojmë edhe këtë. Sidomos kur e ka emrin “dhuratë” dhe jo “reklamë”. Xhenaro Gatuzo është një nga ata njerëz që kur bëjnë dhurime, nuk i bëjnë biznes, dhe përgjigjet vetëm kur e pyesin. Trajneri 42-vjeçar i Napolit, e pohon me gojën plot, dhe me krenari.

“Nuk e mohoj origjinën time, – u shpreh ai, – nuk harroj se nga kam ardhur, kush ishte rruga ime. Është e vërtetë që e kam kërkuar fatin, por kam marrë më shumë sesa i kam dhënë futbollit. Mendoj se është detyrë që të sillesh në një mënyrë të caktuar. Unë e kam të lehtë sepse e di se çfarë më ka dhënë futbolli, dhe se çfarë fati kam pasur, ndaj kur mund ta ndihmojë dikë, do ta bëj gjithmonë”.

Xhenaro Gatuzo lindi në qytetin Koriliano-Rosano në provincën e Kozencës në Kalabri, pra në Jugun e thellë të Italisë. Një qytet me shtëpi mbi njëra-tjetrën sikur të ishte një Gjirokastër apo një Berat. Ringio pati dy rrugë, ose të bëhej futbollist, ose të shkonte në Gjermani e të kërkonte punë si prindërit e tij 30 vjet më parë. Në Peruxha, banoi në një barakë, në një dhomë 2 metra me 2, shtrëngoi dhëmbët dhe ia doli, e sot është një milioner i futbollit.

Sfidanti.al