Rashica nuk ia del sërish, Bajerni kampion për të 8-ën herë radhazi!

Ishte sërish titullar, por “solo-tor” (gol individual) nuk pati. Titulli i Bundesligës u vendos në Gjermani dy javë para përfundimit, madje kur rivali Dortmund ende ka 3 ndeshje për të luajtur. Milot Rashica me talentin e tij nuk e ndali dot Bajernin që të triumfonte për herë të tetë radhazi, me suksesin 1-0 në fushën e Verderit. Një ndeshje e fortë në “Veser Shtadion” ku të mbiquajturit “ishullorët e lumit” ishin shumë pranë ndalimit të gjigandëve bavarezë, që fituan falë golit të zakonshëm të Robert Levandovskit, shënuar në minutën e 43-të. Në fushë si titullarë ishin kthyer Levandovski, Myler, Koman e Dejvis, në vend të Zirkzesë, Perishiçit, Kuisonsit dhe Hernandezit.

Pjesa e parë nuk ishte ajo e duhura për kampionët në fuqi, edhe pse trajneri Hansi Flik ua kërkoi me detyrim fitoren. Pas pushimit, sidoqoftë, Bajerni ishte më lart dhe pati epërsi të madhe. Trajneri vendas, Kohfeld, e hoqi Rashicën nga loja në 62-të, ashtu si edhe Bitenkurtin. Bajerni mbeti me 10 lojtarë kur Antonio Dejvis mori të verdhën e dytë, pra edhe të kuqen në të 79-ën minutë, duke e bërë fundin e ndeshjes shumë të vështirë për miqtë. Pikërisht në minutën e 90-të, Nojer devijoi me një dorë topin që po shkonte te Klaudio Pizarro, duke i mohuar Verderit golin e barazimit. Tetë tituj radhazi dhe 30 në histori për Bajernin, një seri suksesesh që pritet të vazhdojë edhe më tej.

Sfidanti.al