Chelsea e do menjëherë Wernerin, nuk do ta mbyllë Championsin me Leipzig?

Kaosi  me kalendaret dhe intensiteti i ndeshjeve në kompeticione të ndryshme pas pauzës nga pandemia coronavirus, mund t’u kushtojë shtrenjtë disa skuadrave. Mes tyre është edhe Leipzigu që duket se është gati të largojë përfundimisht yllin e tij, Timo Werner të cilin mund të mos e ketë në dizpozicion për fazën finale të Ligës së Kampioneve.

Sipas të përditshmes  gjermane ‘Bild’, në fakt Chelsea do të paguajë së shpejti klauzolën e kontratës së sulmuesit dhe ka shfaqur gatishmërinë ta sjellë atë në Londër në fund të qershorit, pa pritur që ai të mbyllë sezonin me klubin gjerman. Sezoni 2019/2020 do të mbyllet zyrtarisht me finalen e Ligës së Kampioneve, ndërkohë që Werner, gjithsesi nuk do të mund të luajë me fanelën e Bluve deri në shtator. Por sipas disa mediave gjermane, Lampard e ka me ngut praninë e  sulmuesit nën urdhrat e tij për të përshpejtuar përshtatjen e Ëerner me Premier League

Sulmuesi nga Shtutgarti deri tani ka realizuar 31 gola dhe ka dhënë 13 assist në 42 ndeshje sezonale me Leipzig duke e drejtuar këtë skuadër deri në cerekfinale të Ligës së Kampioneve pasi eliminoi Tottenhamin e Mourinhos në 1/8 e finaleve. Gjithsesi javët e ardhshme do të jenë vendimtare përsa i përket kësaj cështjeje pasi do të kuptohet më mirë se cfarë akordi do të nënshkruajnë të dy klubet. Dhe e gjithë kjo ndodh teksa pritet zyrtarizimi i formatit të Champions dhe Europa League në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA që do të mbahet këtë të mërkurë.

Sfidanti.al