Kjo që u mbyll me vështirësi ditën e hënë ishte edhe një nga javët më interesante të këtij kampionati. Federata që për dy muaj luajti rolin e bamirëses, duke tundur zarfe me paga lufte, tani ka vendosur ta ndajë me këste futbollin e saj privat që ka lëshuar në stadiumet e boshatisura të vendit. Nëse i sjellin ca para lëshon sinjalin për ta parë në televizor Superioren tonë, nëse nuk ka para ta dërgon në telefon. Humbja e Tiranës ishte një nga ndeshjet që e pamë, si dhe kuptuam se sa i brishtë është humori i opinionit, sikur edhe ai të kishte lidhje me këstet e federatës. Prej kohësh, trajneri i tanishëm i bardhebluve, Emanuel Egbo, është trajtuar si simboli i njeriut që qëndron i heshtur pas kuintave, duke pritur shansit e tij për të shpërthyer. Dhe ja më në fund ku doli në sipërfaqe, duke e udhëhequr Tiranën drejt titullit kampion me numër 25. Kështu që pothuajse u harruan të gjithë paraardhësit e tij në pankinën e Tiranës, duke e trajtuar si Mesia, qoftë edhe sepse vetë trajneri nigerian duket sikur komunikon live me Zotin përpara, gjatë edhe pas ndeshjeve. Ndërsa ne kemi dëgjuar nga goja e tij aq shunë “kismet”, “ishallah” e të tjera si këto, saqë jemi bindur në një farë mënyre për lidhjen shpirtërore të Egbosë, përveçse jemi të hutuar, nëse Emanueli është mysliman apo katolik. Ndërsa pas ndeshjes në “Niko Dovana”, trajneri i Tiranës nuk ishte më ai njeriu i mirë që bashkoi një grup të përçarë dhe i ktheu në qengja të Perëndisë, por thjesht një teknik që i vonoi ndërrimet dhe e ka rraskapitur skuadrën e tij, aq sa në disa periudha të ndeshjes ishte e ngadaltë dhe pa dëshirë. Pra mjaftoi vetëm kaq, një humbje e zakonshme, për ta trajtuar edhe një trajner sikur nuk kishte paguar këstin e rradhës për imazhin e tij.
E kundërta ndodhi me Partizanin që ka konsumuar një kampionat si të ishte një vepër penale. Prej kohësh, skuadra e kuqe ishte objekt i shtypit, për merkaton e gabuar që solli humbjen e kontakteve me titullin kampion që pa mbërritur në gjysmën e edicionit. Të premten masakrtoi me rezultatin 8-1 Luftëtarin, një tjetër ekip që prej kohësh vjen vërdallë nëpër Shqipëri pa ndonjë qëllim të caktuar. Tani ishte Sormani me të tijët ata që u kthyen në Shenjtë dhe si me magji nuk flitej më për dështimin e madh të një grupi të tërë, por për futbollistë të veçantë të Partizanit që pritet të trondisin merkaton e ardhshme. Ndoshta nuk është ironike, por e sigurtë që në Tiranë ka një dorë të Zotit të ndarë me këste dhe herë pas here e sheh me imazh të qartë te Tirana e Egbosë, Partizani i Sormanit, apo Federata e Dukës.