Të thuash se asgjë nuk do të jetë si më parë, duket e ekzagjeruar, por me gjasë për një periudhë afatshkurtër mund të qendrojë si realitet. Transferimi i dështuar i Xhixhi Donarumës këtë verë është një shembull se çfarë ndikimi të rëndë ka epidemia e koronavirusit në industrinë e futbollit. Portieri i Milanit ishte i vendosur të largohej nga “San Siro”, duke mos pasur besim tek projekti i ri kuqezi, por kandidatët për ta marrë nuk ishin në gjendje për të paguar kartonin e tij.
Reali i Madridit, Juventusi, Paris SG, Mançester Junajtid apo Çelsi janë përfolur si adresa të mundshme të ardhshme të 21-vjeçarit, veçse për momentin nuk mund të shpenzojnë sipas qejfit. Koronavirusi pra ka bërë miq klube si Milani me agjentë si Mino Raiola, gjë që nuk ka qenë e lehtë në të kaluarën. Marrëveshja prej hallit është bërë mbi bazën që, edhe klubi ta mbajë lojtarin për disa kohë më shumë, edhe portieri të ketë mundësi të largohet. Për këtë, do të ndihmojë klauzola prej 60 milionë eurosh që do të ketë kontrata e Donarumës, nëse Milani nuk do të kualifikohet dot për në Champions. Kohëzgjatja e “bashkëjetesës” nuk do të jetë më larg se viti 2024.
Sfidanti.al