Loja  për titullin, Egbo pronëson  Zotin.. shfuqizon Halilin!

Edhe metamorfoza e Kukësit mund të quhet sjellje e çuditshme! Kishin premtuar solemnisht se do t’ia nxinin jetën Tiranës deri në javën e fundit në luftën për titull, kur fap…deklarata e presidentit Gjici se.. Tirana i fiton ndeshjet në mënyrë të çuditshme. Sido që të tingëllojnë këto fjalë shpuese, akuza ishte  elegante dhe tregon se fjalori luftues midis nënkampiones dhe asaj që do të vijë.. është përmirësuar goxha. Ç‘do të thotë e çuditshme në tokën e robëruar nga  mëkatet  ?  Është fjala për një dorëzim të vullnetshëm të kundërshtarit apo ndodh diçka më e madhe, që Kukësi si kampione dhe fituese e Kupës, e zhbirilon  fort mirë prapaskenën. Sido që të ketë ndodhur, reagimi i Tiranës ndaj fjalëve të Gjicit , të kujton një ekip që nuk ka veshë për të dëgjuar helmet e rivalit, një ekip i tapinosur nga ana psikologjike sa   nuk bie lehtë në lesën e lojës me provokime..

Si presidenti Halili, ashtu dhe trajneri Egbo, sapo i vënë kasetën e fundit të Safet  Gjicit me këngën “ndeshje të çuditshme”, as nuk tundohen fare për të bërë polemikë. Halili mbetet me këmbë në tokë, as nuk dënjon të merret me presidentin rival, që kur humbi besimin tek loja e skuadrës së tij, u fut vetë në “fushën e lojës”. Kurse trajneri Egbo, ndryshe nga presidenti i tij, Halili, pasi dëgjon për epitetin “ndeshje të çuditshme”, e gjen ngushëllimin në qiell dhe jo në tokë. Mu tek aleati i tij  suprem! Fjalët e tij nuk i kemi dëgjuar ndonjëherë, as imagjinuar  nga ndonjë trajner tjetër,  madje edhe po të fluturosh nëpër gjithë dynjanë e pafund të futbollit nëpër botë. “Është Zoti që na udhëheq, është ai pronari i vërtetë i klubit, pastaj presidenti Halili, ndërsa ne të tjerët jemi administratorët”.  Tirana ka vite që nuk e ka shijuar titullin kampion dhe Egbo, flet   sikur të jetë  i dërguari i posaçëm, njeriu që veshi papritur  petkun e trajnerit, sa për të lidhur tokën bardheblu me pronarin e  qiellit , sa për të festuar me trofe vitin e 100 të moshës…

Sfidanti.al